Periudha e shtatzënisë është një proces i gjatë dhe i vështirë, mirëpo duke e rregulluar mënyrën e të jetuarit ju mund të keni një shtatzëni të shëndoshë dhe të lumtur. Grupi Shëndetësor Bahceci ndan me ju këshillat e Op.Dr. Ahmet Payaslı, Specialiste e Lindjes dhe Sëmundjeve të Grave…

Ushtrimet: Gjatë periudhës së shtatzënisë suaj ju mund të vazhdoni me aktivitete të lehta dhe të rregullta fizike. Të qenit aktiv ju ndihmon që të ndiheni më mirë dhe mundëson që lindja të bëhet më lehtë. Noti dhe të ecurit janë aktivitetet më të mira. Ushtrimet nuk guxojnë të jenë të mundimshme, pulsi i zemrës suaj nuk duhet të shkoj mbi 120 rrahje dhe temperatura e trupit nuk duhet të kalojë mbi 38.5 C. Por duhet pasur kujdes që t’i shmangeni sporteve që mund të shkaktojnë trauma dhe ndryshim të presionit të oksigjenit.

Higjiena: Higjiena personale është e rëndësishme, për këtë arsye rekomandohet që rregullisht të bëni dush dhe banjë, mirëpo sauna gjatë shtatzënisë është e dëmshme. Gjithashtu, lëkura duhet mbahet e njomë.

Ushqimi: Ushqimet duhet të jenë të llojllojshme mirëpo njëkohësisht duhet të qëndroni larg ushqimeve që përmbajnë sheqer dhe yndyrë, si dhe duhet të përpiqeni të konsumoni ushqime që përmbajnë shumë proteina dhe fibra. Ushqimi më ideal është ai që përmban kryesisht proteina dhe vitamina. Mishin e kuq dhe të bardh duhet ta konsumoni në mënyrë të barabartë 5 herë në javë, 2 vakte duhet të përmbajnë bimë bishtajore dhe vaktet tjera duhet të përmbajnë kryesisht perime. Një gotë qumësht apo një tas kos në ditë plotëson nevojat tuaja ditore për kalcium. Si ushqim të lehtë mes vakteve kryesore mund të konsumoni pemë, kos, pemë të thata dhe arra. Duhet të pini së paku 2 litra ujë në ditë. Gjithashtu, duhet t’i shmangeni pijeve që përmbajnë kafeinë, nikotinë, alkool dhe ëmbëltues artificial. Nuk duhet të hani produkte nga mishi i pazier apo i papjekur.

Aktiviteti seksual: Aktiviteti seksual gjatë shtatzënisë është i natyrshëm, nuk ka asnjë dëshmi se aktiviteti seksual mund të jetë i dëmshëm për foshnjën tuaj. Megjithatë, mund të ketë ngritje apo rënie në dëshirën tuaj për marrëdhënie seksuale. Përderisa nuk ka situatë të rrezikshme sikurse dështimi apo lindja e parakohshme, plasja e qeskës amniotike apo vendosja e placentës para kanalit të lindjes, duke u këshilluar me mjekun tuaj ju mund të vazhdoni marrëdhëniet intime.

Gjumi: Është e rëndësishme që të pushohet mjaftueshëm. Gjatë kohës që foshnja rritet dhe bëhet më aktive, ju mund te keni vështirësi për të bërë gjumë të mirë, por mund të bëni gjumë më të mirë nëse shtriheni në njërën anë. Koha e gjumit ndryshon varësisht prej nënave shtatzëna kështu që dremitjet e shkurtra do të ju ndihmojnë.

Ankthet: Sikurse çdo grua shtatzënë edhe ju mund të brengoseni se diçka do të shkojë keq gjatë shtatzënësisë apo gjatë lindjes, ose mund te merakoseni se foshnja juaj nuk do të jetë normale. Mjeku juaj është i vetëdijshëm për të gjitha këto shqetësime dhe brengosje, për këtë arsye duhet të flisni hapur me mjekun dhe ta shijoni shtatzëninë.