Për nënën dhe babin shtatzënia me binjakë është një dhuratë e çmuar. Kjo është një pritje sa e këndshme dhe ngazëlluese po aq edhe brengosëse. Shtatzënitë me binjakë kërkojnë vëmendje të veçantë, për këtë arsye ju duhet të kujdeseni mirë si për veten ashtu dhe foshnjën tuaj.

Në veçanti, zhvillimet në trajtimet e fekondimit në epruvetë dhe shpeshtimi i zbatimit të kësaj metode kanë mundësuar që të shohim më shumë binjakë në mesin tonë. Tani me buzëqeshje në fytyrë i shikojmë karrocat e foshnjave.
Përveç teknikave të riprodhimit të asistuar, dëshira për të pasur shtatzëni të shumëfishtë dhe ndryshimet hormonale të shkaktuara nga shtatzënia në moshë të përparuar kanë hapur mundësinë e fertilizimit të më shumë vezëve duke rritur mundësinë për shtatzëni të shumëfishtë.

Përhapja e shtatzënive të shumëfishta vërehet një në 250 raste, ndërsa teknikat e riprodhimit mjekësor të asistuar rrisin për 2-3 herë mundësinë për shtatzëni të shumëfishtë.

Si ndodh kjo?

Binjakët vëllazëror – binjakët nga vezë të veçanta

Ky është lloji më i shpeshtë dhe realizohet kur dy spermatozoide të veçanta fekondojnë dy vezë të veçanta. Secili embrion ka placentën e vet dhe qeskën amniotike. Binjakët mund të jenë të gjinisë së njëjtë apo të ndryshme. Në aspektin e tipareve gjenetike dhe fizike ngjajnë sa dy vëllezër/motra.

Binjakët identik – binjakët nga e njëjta vezë

Veza teke e fekonduar ndahet dhe nëse zhvillohen dy fetuse krijohen binjakët e një veze. Nga aspekti gjenetik, të dy foshnjat janë të njëjta si dhe janë të së njëjtës gjini dhe përngjajnë shumë me njëri tjetrin. Shumë rrallë ndodh të shfaqen probleme në ndarjen e vezës së binjakëve duke rezultuar në binjakë të ngjitur.

Çfarë ju pret gjatë shtatzënisë?

Diagnostifikimi i binjakëve bëhet mes javëve 6 dhe 8 me anë të kontrollit me ultrazë. Nëse kujdeseni për veten tuaj, do të kujdeseni dhe për foshnjat tuaja.

Kontrolle më të shpeshta

Ju duhet të bëni kontrolle për të përcjellë zhvillimin e foshnjës, gjendjen tuaj shëndetësore dhe për t’i zbuluar shenjat e lindjes së hershme. Në tremujorin e dytë kontrollimet duhet të bëhen çdo 2 javë, ndërsa në tremujorin e tretë çdo javë.

Të ushqyerit

Duhet t’i kushtoni vëmendje të veçantë që të ushqeheni me ushqime natyrale që përmbajnë kalcium, hekur, proteina dhe vitamina. Mund të këtë nevojë edhe për multivitamina, hekur, omega 3 dhe kalcium për gratë shtatzëna.

Shtimi i peshës

Nevojat ditore sillen rreth 2700 kalori. Shtimi i peshës mesatarisht prej 14-18 kg është normal.

Kujdes

Mjeku juaj mund të kërkoj nga ju që të bëni disa kufizime në jetën tuaj të përditshme dhe në punë, udhëtime, ushtrime dhe në veçanti në fazat e avancuara të shtatzënisë. Edhe pse pushimi në shtëpi dhe shtrirja në shtrat nuk mund të jenë zgjidhje për lindje të parakohshme, ato kontribuojnë në shëndetin e shtatzënës dhe rritjen e fëmijës.

Komplikimet

Çdo ditë lindin binjak të shëndetshëm, por është e rëndësishme t’i njihni edhe komplikimet e mundshme.

Rritja e shtypjes së gjakut

Shtatzënitë e shumëfishta janë një faktor rreziku i rritjes së shtypjes së gjakut. Nëse hipertensionit i shtohet edhe shfaqja e proteinave në urinë, atëherë kjo rezulton në sëmundjen e pre-eklampsisë. Ky është një komplikim i rrezikshëm si për foshnjën ashtu edhe për nënën dhe kërkon kujdes të shtuar. Kujdesi intensiv i spitalit duhet t’i plotësojë kushtet për të ndihmuar nënën dhe foshnjën.

Lindja e parakohshme

Në lindjet me binjakë synohet që lindja të përfundojë për 37 javë. Mesatarja e përgjithshme është java e 36-të e shtatzënisë. Që nga java 34 komplikimet e lindjes së parakohshme janë të rralla. Nëse keni shenja te lindjes së parakohshme, duhet të merrni injeksione me steroide për të përshpejtuar zhvillimin e mushkërive të fëmijës dhe mbase do të duhet të zbatohen edhe terapitë e relaksimit të mitrës. Komplikimet e lindjes së parakohshme, lindja në peshë të ulët, vështirësitë në sistemin e frymëmarrjes dhe tretjes, dhe pamjaftueshmëria e zhvillimit të organeve janë probleme të të mësuarit dhe zhvillimit. Kryesisht, dy fëmijë lindin për më së shumti brenda dy dite. Shumë rrallë ndodh që njëri fëmijë të lind e tjetri të vazhdojë të zhvillohet në mitrën e nënës. Kjo është një lindje me interval të vonuar.

Sindroma e transfuzionit nga njëri binjak tek tjetri

Ky fenomen vërehet afërisht në 30% të rasteve të binjakëve nga e njëjta vezë. Një damar i vetëm në placentë lidh sistemet e qarkullimit të gjakut të të dy foshnjave me njëra tjetrën. Për këtë arsye njëri nga foshnjat është në pozicion marrës dhe tjetri në pozicion dhënës. Ky është një komplikim shumë serioz i shtatzënisë që kërkon ndërhyrje. Në shumicën e këtyre rasteve lindja është e parakohshme.

Prerja Cezariane

Në shtatzënitë e shumëfishta mënyra më e sigurt e lindjes është me anë të prerjes cezariane. Vetëm në shtatzënitë me binjakë ku të dy foshnjat janë në pozicion cefalik (ose normal), atëherë mund të provohet lindja normale vagjinale.

Të kesh fëmijë binjak është një dhuratë e çmuar. Përjetoni kënaqësinë kalimit të kohës me binjakët gjatë shtatzënisë por edhe pas lindjes. Mos hezitoni të kërkoni ndihmë nga të afërmit tuaj.