Specialistja e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë Op. Dr. Burçak Erzik nga Grupi Shëndetësor Bahçeci shpjegon gjërat që duhet ditur dhe pasur kujdes rreth përcjelljes së shtatzënisë:

Kilogramët: Shtimi në peshë prej 10-14 kilogram është normal. Nëse në fillim të shtatzënisë keni peshë normale atëherë pesha ideale që mund të shtohet është 14-18 kilogram, ndërsa nëse jeni të shëndoshë pesha ideale që rekomandohet të shtohet është 7-9 kilogram. Mjeku juaj do t’iu rekomandojë se sa kilogram duhet të shtoni. Ju duhet të shtoni përafërsisht 2kg në 12 javët e para, dhe më pas nga 1/2 kilogram në javë. Shtimi i shpejtë i peshës apo fryrjet mund të shkaktohen kur trupi mban ujin. Nëse ju ndodh kjo, menjëherë informoni mjekun tuaj.

Analiza e urinës: Analiza e urinës i jep informata të rëndësishme mjekut rreth funksionimit të trupit tuaj. Disa sëmundje të shtatzënisë si diabeti mund të diagnostifikohen në fazat e tij të hershme duke ekzaminuar nivelet e sheqerit dhe proteinave në urinë. Infeksionet urinare dhe të veshkave mund të ndodhin shpesh gjatë shtatzënisë prandaj duhet të mjekohen pasi që mund të shkaktojnë lindje të parakohshme.

Analizat e gjakut: Gjatë vizitës suaj të parë te mjeku ai do ta identifikojë grupin tuaj të gjakut. Bëhen gjithashtu testet e plota të gjakut, testet e funksionimit e tiroideve dhe testet për infeksionet e fetusit. Gjatë javëve specifike të shtatzënisë do të kryhen teste të kombinuara dhe trepjesëshe me qëllim të zbulimit të ndonjë çrregullimi të kromozomeve. Nëse është e domosdoshme, do të përsëriten testet e tolerancës së glukozës, testi i plotë i gjakut dhe analiza e urinës. Te çiftet me mospërputhje të gjakut, do të nevojiten testet mujore indirekte Coombs.

Testet tjera: Kontrollimet ultrasonografike bëhen për të siguruar se zhvillimi i foshnjës është i shëndetshëm. Mjeku juaj mund të rekomandojë ekzaminime tjera më të avancuara si marrja e mostrave me chorionic villus (heqja e mostrës së indit nga placenta), amniocentesis apo marrja e mostrave nga gjaku i fetusit. Këto teste janë procedura invazive që përdoren për ekzaminimin e strukturës së kromozomeve të foshnjës suaj.