Gjatë periudhës së shtatzënisë do të ketë shqetësime të ndryshme dhe kohë pas kohë do të keni më shumë ankesa. Në këtë artikull do të sqarojmë më çfarë probleme do të ballafaqoheni gjatë shtatzënisë dhe çfarë mund të bëni që të keni sa më pak shqetësime të tilla …

Të vjella në mëngjes: Të pështjellët dhe të vjellat në mëngjes janë ankesa të zakonshme gjatë 3 muajve të parë. Për këtë arsye, duhet të hani më shpesh por në sasi më të vogël dhe t’i shmangeni ushqimeve të yndyrshme dhe djegëse. Këshillohuni me mjekun tuaj obstetër nëse kjo gjendje arrin në atë nivel që të shkaktojë humbjen e peshës dhe pengimin e marrjes së lëngjeve.

Dhimbjet abdominale: Këto shkaktohen nga zgjatja e ligamenteve të mitrës, e cila çdo ditë e më shumë rritet dhe bëhet më e rëndë. Duhet të këshillohemi me mjekun obstetër që t’i dalloni këto zgjatje të ligamenteve nga shtrëngimet e mitrës, të cilat mund të shkaktojnë lindje të parakohshme.

Lodhje: Lodhja e shtuar dhe përgjumja janë normale gjatë tre muajve të parë gjestacional. Kohë pas kohe gjatë ditës duhet të merrni një sy gjumë.

Ngërçet në këmbë: Ngërçet e këmbëve gjatë natës mund të jenë posaçërisht shqetësuese. Për t’i luftuar këto, zgjatni këmbët dhe drejtoni gishtat e këmbëve në drejtim të gjunjëve tuaj. Pini ujë me bollëk. Ju po ashtu mund të merrni plotësime të mineraleve si kalcium apo magnez, por së pari konsultohuni me obstetrin tuaj.

Venat e zgjeruara: Shtypja mbi venat nga mitra e zmadhuar mund ta ngadalësojë qarkullimin e gjakut në këmbët tuaja, duke shkaktuar kështu venat e zgjeruara. Ato zakonisht pakësohen pas lindjes. Përpiquni të mos i kryqëzoni këmbët apo të qëndroni në këmbë për një kohë të gjatë. Mjeku juaj obstetër mund të rekomandojë që të mbathni çorape mbështetëse dhe që t’i ngrini këmbët kur pushoni. Ecja do ta ndihmojë përshpejtimin e qarkullimit të gjakut.

Dhimbjet kurrizore: Pesha e shtuar që duhet ta mbani çon në ndryshime në boshtin e rruazave kurrizore dhe i bën dhimbjet kurrizore më të theksuara. Qëndroni me shpinë të drejtuar, mbështetni hapësirën tuaj kurrizore dhe mbani kokën lart. Mbathni veshje të rehatshme dhe këpuca të rehatshme me take të ulëta. Ecja, noti, dhe kontrollimi i peshës gjithashtu mund t’iu ndihmojë.

Gulçim: Me zhvillimin e shtatzënisë suaj, kapaciteti juaj për frymëmarrje do të zvogëlohet. Ngjituni shkallëve ngadalë dhe merrni frymë thellë. Këshillohuni me mjekun nëse gulçimi që përjetoni është abnormal.

Djegie në stomak: Djegia në stomak dhe mostretja janë shumë të shpeshta gjatë shtatzënisë. Me përparimin e shtatzënisë, stomaku juaj shtyhet lartë dhe muskuli shtrëngues midis stomakut dhe ezofagut dobësohet. Rrjedhimisht, shpesh shfaqen mostretja, djegie në stomak, dhe thartësira. Këshillohuni me mjekun për marrjen e barnave kundër thartësirës.

Urina: Në fillimin dhe në fazat e mëvonshme të shtatzënisë, me rritjen e foshnjës dhe pozicionimin e kokës së saj, kapaciteti i fshikëzës pakësohet dhe duhet të urinoni më shpesh. Kontaktoni mjekun tuaj obstetër nëse keni ndjesi djegëse gjatë urinimit.

Kapsllëku: Kapsllëku është shumë i zakonshëm gjatë shtatzënisë. Për ta pasur më lehtë pini më shumë lëngje dhe konsumoni ushqime që përmbajnë fibra si pemët dhe perimet. Nëse kapsllëku bëhet problem i vërtetë, mjeku juaj do t’iu rekomandojë një medikament të përshtatshëm. Mos merrni laksativ pa miratimin e obstetrit tuaj.

Hemorroidet: Hemorroidet mund të formohen gjatë shtatzënisë si rezultat i kapsllëkut. Mos e sforconi vetën gjatë kryerjes së nevojës. Gjithmonë këshillohuni me obstetrin tuaj.

Gjakderdhje të mishit të dhëmbëve: Pastroni dhëmbët rregullisht. Ju mund të vazhdoni të shkoni te dentisti juaj për trajtim pas javës 12 të shtatzënisë. Informoni obstetrin tuaj rreth vizitave.

Ënjtja: Pushoni këmbët duke i mbajtur të ngritura. Që nga java e 20 e shtatzënisë, filloni të flini në anën tuaj të majtë me qëllim që mos ta pengoni gjakun për t’u kthyer në këmbët tuaj dhe në zemër.

Ndryshimet e lëkurës: Me përparimin e shtatzënisë tuaj, ju mund të përjetoni plasaritje abdominale dhe errësim të fytyrës dhe abdomenit. Këto janë ndryshime normale që ndërlidhen më shtatzëninë tuaj. Ju mund të përdorni krem për njomjen e lëkurës dhe mbrojtjen e elasticitetit të saj.