Gazrat janë krizat e të qajturit pa arsye që fillojnë në periudhën e të porsalindurit dhe mund të zgjasin deri në muajin e 4-ët. Kjo është një gjendje e ndërlidhur me zhvillimin neurologjik dhe sistemin e zorrëve (sistemi intestinal). Për nënat gjidhënëse është ndikuese edhe mënyra e ushqyerjes së tyre. Para diagnostifikimit kolik (për gazra), beba gjithmonë duhet të ekzaminohet paraprakisht nga mjeku. Mund të ndodhë që janë lënë anash arsyet e tjera që kanë shkaktuar krizat e të qarit dhe beba është diagnostifikuar me kolik (dhimbje barku – gazra). Këto kriza zakonisht fillojnë në orar të njëjtë, kryesisht në mbrëmje dhe mund të zgjasin me orë të tëra. Metodat e njëjta për kalimin e këtyre krizave mund të mos jenë efektive për çdo bebe. Në këtë periudhë, gjëja e parë që duhet bërë është të jeni të qetë dhe të merrni beben tuaj në prehër. Muajt e parë, bebja nuk mësohet në prehër por mos u frikësoni nga kjo gjë. Ndërroni atmosferën ,freskojeni, lëshoni një muzikë pak ritmike dhe mbani beben në prehër. Në dhomën tjetër mund të lëshoni thithësen e rrymës (fshesën për pastrim) apo pak larg nga beba të lëshoni tharësen e flokëve. Ndonjëherë vozitjet me veturë në këto kriza mund të jenë efektive. Nëse beba juaj nuk qetësohet me këto metoda apo ka ankesa të tjera shoqëruese, duhet të konsultoheni me mjekun tuaj pediatër.