Flokët rriten në cikle të programuara jete, që përbëhen nga disa faza: faza e rritjes (anagen), faza tranzitore (catagen) dhe faza e qetësisë (telogen). Çdo faktor që shkakton ndërprejen e këtij cikli, ose shkatërrimin e folikulit të flokut, çon në rënie anormale (më shumë se 100 fije në ditë) të flokëve. Është e vërtetë që rënia e flokëve prek më tepër meshkujt, mgjt. është një fenomen i zakonshëm dhe po aq demoralizues edhe te femrat. Në shumë raste, bëhet fjalë për një proces të kthyeshëm dhe ka mënyra efikase trajtimi. Gjithçka varet nga shkaku. Ka shumë forma të rënies së flokut, të cilat kanë simptoma dhe shkaqe të ndryshme. Format kryesore janë:

  • rënia mashkullore dhe femërore e flokut
  • alopecia areata
  • alopecia cicatriciale
  • anagen effluvium
  • telogen effluvium

Shkaqet variojnë nga shkaku më i thjeshtë – një mungesë vitamine – tek ai me kompleksi, psh. një sëmundje e rëndë sistemike. Shkaqet zakonisht lidhen me një apo më tepër nga faktorët e mëposhtëm:

  • Historia familjare (trashëgimia)
  • Ndryshimet hormonale
  • Sëmundje të tjera
  • Medikamente të ndryshme

Trashëgimia është shkaku më i shpeshtë i rënies së flokut dhe shkakton atë që quhet rënia mashkullore dhe rënia femërore e flokut. Kjo lloj rënieje prek rreth gjysmën e meshkujve dhe rreth 40% të femrave deri në moshën 50 vjeçare. Tek meshkujt, karakterizohet nga një tërheqje e vijës së flokëve dhe/ose humbje e flokëve në pjesën e përparme dhe të sipërme të kokës, kurse tek femrat karakterizohet nga rrallim i flokëve në pjesën e përparme dhe të sipërme të kokës dhe zakonisht është më e lehtë se tek meshkujt. Tek meshkujt, shkaktohet nga një ndjeshmëri e shtuar, gjenetikisht e përcaktuar, ndaj një hormoni të quajtur dehidrotestosterone (DHT) në disa zona të skalpit dhe njihet me termin alopecia androgenetike. Tek femrat, tregohet një predispozicion i fortë gjenetik, por roli i androgjeneve (hormone mashkullore seksuale) nuk është plotësisht i qartë, pasi shumica e tyre kanë një nivel normal të androgjeneve në gjak. Disa femra shfaqin rënie mashkullore të flokëve, pasi përveç predispozicionit gjenetik, ato kanë edhe nivele të ngritura të androgjenëve në gjak. Te këto paciente, rënia e flokëve zakonisht shoqërohet edhe me akne në fytyrë, cikël të parregullt menstrual dhe shtim të qimeve në fytyrë dhe në trup.

Pacientët duhet të informohen dhe të kuptojnë qartë se qëllimi i trajtimit, më tepër sesa dalja e flokëve të rinj, është ndalimi i rënies, mgjt. në disa paciente, vihet re ridalja e flokëve gjatë trajtimit, por është e pamundur të parashikohet se tek cilat paciente kjo do të ndodhë dhe tek cilat jo. Tek meshkujt, gama e trajtimeve përfshin solucion minoxidil, injeksione PRP (plazme), tableta finasteride, mbjellje floku, kurse tek femrat, solucion minoxidil, trajtim hormonal, injeksione PRP(plazma), mbjellje floku, etj. Përpara fillimit të mjekimit, duhen bërë ekzaminimet e nevojshme për të përjashtuar shkaqet e tjera të rënies.

Një formë tjetër e rënies së flokëve është rënia në vatra, e quajtur në gjuhë mjekësore alopecia areata. Zakonisht këto vatra shfaqen në skalp, por mund të shfaqen kudo tjetër ku ka qime. Prek individë të çdo moshe, por zakonisht moshat e reja. Në shumicën e rasteve, floku rritet përsëri pas disa muajsh, fillimisht i hollë dhe i bardhë e më pas normalizohet. Në disa raste zhvillohen forma më të rënda të humbjes së flokut si: alopeci totale (bien të gjithë flokët) dhe alopeci universale ( bien të gjithë flokët dhe të gjitha qimet e trupit). Kjo formë e rënies së flokut, është rezultat i

një sistemi imun hiperreaktiv, i cili i sheh flokët si të huaj dhe i godet ato gabimisht. Eshtë më e shpeshtë tek individët me sëmundje të tjera autoimune, si psh. hipotiroidizëm, diabet, etj. Kortikosteroidët lokalë (injeksione, krem) përbëjnë linjën e parë të trajtimit, por përdoren edhe shumë mjekime të tjera.

Alopecia cikatriciale karakterizohet nga shkatërrimi i folikulit të flokut dhe është zakonisht pasojë e një sëmundjeje tjetër. Përbën 7% të rasteve të rënies së flokut. Në varësi të sëmundjes që e shkakton, lëkura në vendin e rënies së flokut mund të jetë gjithashtu e prekur. Shkaqet më të shpeshta janë skleroderma, liken planus, lupusi diskoid, folikuliti dekalvans (zakonisht tek meshkujt), alopecia fibroze frontale (tek femrat në menopauzë).

Anagen effluvium është një rënie e qimeve, e përhapur në të gjithë trupin. Një ndër shkaqet e tij më të shpeshta është kemioterapia, por edhe trajtime të tjera të sëmundjeve kanceroze, siç janë imunoterapia dhe radioterapia, mund ta shkaktojnë. Rënia e flokut zakonisht vihet re disa javë pas fillimit të trajtimit dhe në shumicën e rasteve, situata normalizohet dhe flokët fillojnë të rriten disa muaj pas ndërprerjes së kemoterapisë.

Telogen effluvium është një formë e zakonshme e rënies së flokut, ku vihet re rrallim i flokut dhe jo rënie në vatra. Zakonisht prek vetëm flokët dhe jo qimet e tjera në trup. Çdo lloj traume, fizike apo emocionale, mund “ta shtyjë” ciklin e flokut në fazën telogene; 70% e flokëve hyjnë njëherazi në këtë fazë dhe fillojnë të bien. Zakonisht rrallimi i flokut bëhet i dukshëm 3-6 muaj pas traumës. Shkaqet më të shpeshta janë: ndryshimet hormonale (psh. shtatzania, marrja apo ndërprerja e kontraceptivëve oralë, etj.), stresi emocional, stresi fizik, (psh. lindja e një fëmije), sëmundje akute ( psh. infeksione të ndryshme), sëmundje kronike (psh. sëmundje të mëlçisë, anemi të ndryshme, etj.), sëmundjet malinje, ndryshimet në dietë (sidomos dietat e forta), përdorimi i medikamenteve të ndryshme (psh. holluesit e gjakut, β-bllokuesit, metotrexati, etj.). Në shumicën e rasteve të telogen effluvium, rënia e flokëve ndërpritet dhe rritja e flokëve rifillon pas mjekimit apo eleminimit të faktorit shkaktar.

Flokët përkufizojnë një pjesë të identitetit të individit, ndaj humbja e tyre shpesh shoqërohet me stres të lartë emocional, i cili mund te ndikojë jashtëzakonisht shumë në cilësinë e jetës së personit të prekur. Fatmirësisht, sot egzistojne shumë mënyra trajtimi per rënien e flokut, por suksesi i tyre varet nga përzgjedhja e trajtimit te duhur, e cila bëhet nga mjeku specialist pas përcaktimit të saktë të llojit dhe shkakut të rënies.