Me kalimin e viteve, lëkura jonë humbet volumin, integritetin, shkëlqimin e dikurshëm, fytyra humbet simetrinë dhe rrumbullakësinë e saj. Ne fillojmë të ankohemi për rrudhat rreth syve, rreth buzëve, rrudhat në ballë, dehidratimin e lëkurës, njollat , humbjen e elasticitetit dhe njëtrajtshmërisë së tonit të lëkurës. Ky proces natyral plakjeje, mund të përshpejtohet nga predispozicioni ynë gjenetik, mimika e zhvilluar e fytyrës, pirja e duhanit, dietat e varfëra, ekspozimi në diell, lodhja fizike dhe stresi i akumuluar ndër vite.

Fatmirësisht, përveç produkteve të panumërta kozmetike, sot ne kemi ne dispozicion edhe një sërë procedurash dermo-estetike që e ndihmojnë lëkurën të mbetet e re; mjafton të vendosim të kujdesemi pak edhe për veten tonë. Këto procedura variojnë nga ato më natyralet, tek ato më invazivet. Jo gjithmonë duhet të shohim larg, pasi burimi natyral i rinisë, fuqia e rigjenerimit është shumë pranë nesh, brenda trupit tonë. PRP (plazma e pasuruar me pllakëza gjaku) është një ndër mënyrat më natyrale dhe njëkohësisht më efektive për rinimin e lëkurës sonë. Mënyra të tjera janë peeling kimik, dermaroller, mezoterapia, fillerat e botoksi. Studime të shumta kanë treguar se rezultati maksimal arrihet nëpërmjet kombinimit të procedurave të ndryshme, në varësi të moshës, llojit të lëkurës, dëmtimit të saj, stilit të jetës. Sa më shpejt të fillojmë të kujdesemi për lëkurën tonë, aq më shumë rezultate do të na sjelle ky kujdes. Por një gjë është e sigurt: nuk jemi asnjëherë tepër të rritur, për të qenë të rinj!