Lindja cezariane është një mënyrë kirurgjike e lindjes ku prerjet bëhen në muret e barkut të nënës dhe pastaj në mitër.

Lindja cezariane mund të jetë më e sigurt për ju dhe foshnjën tuaj në krahasim me lindjen normale vagjinale në këto situata:

• Arsyeja më e shpeshtë e lindjes cezariane është kur nuk përparojnë dhimbjet e lindjes, kur pavarësisht shtrëngimeve të rregullta hapja dhe hollimi i qafës së mitrës mbetet e pamjaftueshme.

• Nëse ka çrregullim në ritmin e zemrës së foshnjës suaj kjo tregon oksigjenim të pamjaftueshëm dhe ankth të fetusit.

• Nëse foshnja juaj është vendosur në pozicion jo të rregullt në kanalin e lindjes, pra është pozicionuar me prapanicë, këmbë, në njërën anë, apo me fytyrë.

• Shtatzëni e shumëfishtë

• Në situatat kur ka problem me placentën, gjegjësisht plasenta previa ku placenta vendoset para kanalit të lindjes duke bllokuar kalimin, apo plasenta abruptio ku ende pa u realizuar lindja placenta shkëputet nga muret e mitrës

• Shkarja e kërthizës.

• Nëse foshnja është e madhe apo diametri i kokës është i gjerë.

• Nëse më parë keni lindur fëmijë me prerje cezariane.

• Nëse keni probleme shëndetësore, si sëmundje të zemrës që nuk është nën kontroll, tensioni i lartë, nëse ka urdhje aktive gjenitale apo infeksion HPV.

• Nëse foshnja juaj ka problem shëndetësor, apo nëse ekziston ndonjë çrregullim strukturor që mund të përkeqësohet me lindjen vagjinale.

Para operacionit cezarian, përveç në raste urgjente është e domosdoshme që nëna potenciale të mos ketë ngrënë për së paku 6 orë. Para operacionit, duhet të zbrazen zorrët dhe fshikëza, dhe duke bërë një hapje intravenoze jepet mbështetje në formë të lëngët. Po ashtu, duhet të bëhet analiza e plotë e gjakut, testet e gjakderdhjes dhe koagulimit (mpiksjes), si dhe skenimi serologjik.

Para operacionit, së bashku me anesteziologun ju mund të caktoni llojin e anestezionit që do të zbatohet gjatë operimit. Aplikimi i anestezisë së përgjithshme krijon gjendjen e gjumit të thellë. Ndërkaq anestezitë lokale mund të jenë kurrizore/epidurale apo të kombinuara duke bërë që të mos e ndjeni pjesën e poshtme të trupit dhe rrjedhimisht dhimbjen. Në këtë mënyrë do të jeni të zgjuar dhe do të mund ta dëgjoni foshnjën tuaj duke qarë për herë të parë, dhe mund ta shihni menjëherë. Në raste emergjente rekomandohet anestezia e përgjithshme.

Operacioni mesatarisht zgjat rreth 40 – 60 minuta. Me qëllim të kontrollimit të dhimbjeve preferohen pompat e dhimbjeve që e kanë dozën e kontrolluar. Rreth 6 orë pas operimit, në shoqërim të personelit shëndetësor, ju mund t’i bëni hapat e parë dhe pastaj fillon të ushqyerit me ushqim të lëngshëm. Pacientja qëndron në spital për rreth 2-3 ditë.

Situatat kur duhet ta njoftoni mjekun tuaj;

• Zjarrmi – që shkon mbi 38 gradë celsius, rrjedhje nga plaga, skuqje, rritje e nxehtësisë.

• Gjakderdhje të dendura vagjinale.

• Rrjedhje vagjinale kundërmuese.

• Djegie apo dhimbje gjatë urinimit.

• Skuqje në gji, rritje e temperaturës.

• Dhimbje apo ënjtje në këmbë.

• Depresioni pas lindjes -– luhatje të ndryshueshme emocionale, humbja e oreksit, lodhje, pikëllim, pamundësia për t’u kujdesur për foshnjën, mendimet për ta lënduar veten apo foshnjën.